Fondi i Kërkimit Shkencor
Akademia Nehemiah Gateway është e angazhuar për të krijuar një mjedis akademik që inkurajon hulumtimet dhe kontribuon si në shkencë, ashtu edhe në botën e biznesit. Për të zhvilluar të gjithë punën kërkimore dhe aktivitetet e veta për vitin 2022, në buxhetin e saj, Akademia Nehemiah Gateway parashikon 5% të buxhetit total të Akademisë; ndërsa buxheti për kërkimin shkencor përbën 2.6% të buxhetit total të Akademisë. Buxheti i Qendrës së Kërkimit Shkencor hartohet nga Drejtuesi i Qendrës Kërkimore Shkencore, propozohet në Senatin Akademik dhe miratohet nga Bordi i Administrimit.
Në buxhetin e kërkimit shkencor për 2022 janë llogaritur:
kërkime shkencore dhe publikime 335,500 lekë; seminare dhe trajnime 146,400 lekë; kualifikime dhe konferenca 427,000 lekë dhe udhëtimi studimor 890,600 lekë.
Procedura
Shfrytëzimi i fondeve për kërkimin shkencor është në varësi të statusit të kërkuesit, duke prioritizuar anëtarët e Qendrës Kërkimore Shkencore, Stafin Akademik dhe më pas të ftuarit dhe bashkëpunëtorët. Drejtohet me kërkesë për fond kërkimi dhe hulumtimi shkencor pranë Qendrës Kërkimore Shkencore dhe në dijeni të Rektoratit, duke specifikuar:
- Lëndën dhe temën sipas Agjendës Kërkimore, që korrespondon me fushën/temën e kërkimit;
- Kohështrirjen e kërkimit shkencor dhe impaktin në arritjen e objektivave të Planit të Zhvillimit Strategjik të Shkollës së Lartë Nehemiah Gateway;
- Listën e shpenzimeve, duke specifikuar kostot specifike dhe natyrën e tyre;
- Përllogaritjen e riskut;
- Deklaratën për publikimin dhe botimin në logon e Akademisë Nehemiah Gateway; arkivimin dhe regjistrimin në fondin e librarisë së Akademisë Nehemiah Gateway; si edhe, informimin dhe dakortësinë me parimet dhe procedurat e miratuara në dokumentin ‘Raport mbi mënyrën e përdorimit të fondeve në Akademinë Nehemiah Gateway’;
- Formularin ‘Vetë-deklarimi i Gjendjes Gjyqësore’;
- Nëse është kërkim që do të realizohet në bashkëpunim ndërinstitucional ose në ekip, dorëzohet një Marrëveshje ose Autorizim ndërmjet bashkëpunëtorëve, të cilët delegojnë përgjegjësinë e aplikimit, menaxhimit të fondeve dhe raportimit tek një person i vetëm;
- Plotësimi dhe dorëzimi i CV akademike, sipas formatit të Akademisë Nehemiah Gateway.
Kërkuesi është i obliguar të ndjekë zbatimet e afateve të plotësimit dhe dorëzimit të dokumenteve të nevojshme, sipas afateve të vendosura ‘ad hoc’ nga Qendra Kërkimore Shkencore dhe sipas orientimeve të Departamentit të Financës.
Kriteret
Financimi i kërkuesve, ekipeve dhe në rastet e bashkëpunimit realizohet sipas këtyre kritereve:
- Kërkuesi duhet të gëzojë statusin e anëtarit të Qendrës Kërkimore, stafit akademik, student i Akademisë Nehemiah Gateway, bashkëpunëtor (nga një marrëveshje kuadër ose projekt i përbashkët me Akademinë Nehemiah Gateway) ose ‘I ftuar’ (kërkues me kritere të posaçme sipas thirrjes së shpalluar për ekspertiza të veçanta nga ana e Akademisë Nehemiah Gateway);
- Kërkuesi duhet të gëzojë dhe të plotësojë me të dhëna reale dhe të verifikueshme lehtësisht, të gjitha kategoritë e informacioneve të kërkuara në CV Akademike të Akademisë Nehemiah Gateway;
Kërkuesit i refuzohet kërkesa:
- Nëse tema/fusha e kërkimit nuk është në pajtueshmëri me Planin e Zhvillimit Strategjik të Akademisë Nehemiah Gateway, Agjendën Kërkimore;
- Nëse tema/fusha e kërkimit nuk është korrespondon me asnjë prej temave të vendosura në dispozicion nga Agjenda Kërkimore;
- Nëse aplikon fshehjen e të dhënave dhe informacioneve me rëndësi për aplikimin;
- Nëse për të njëjtën temë është përfitues i fondeve të tjera (nga institucione publike apo private) dhe nuk e ka deklaruar paraprakisht;
- Nëse nuk zbaton pjesërisht apo në tërësi, parimet e specifikuara në Nenin 3 të Rregullores për funksionimin e njësive bazë të kërkimit shkencor dhe publikimeve akademike në Akademinë Nehemiah Gateway
- Nëse nuk zbaton afatet e raportimit gjatë fazave të kërkimit;
- Nëse tërhiqet nga kërkesa për përfitimin e fondeve të kërkimit shkencor, duke njoftuar me shkrim pranë Qendrës Kërkimore Shkencore dhe Rektoratit, brenda 7 ditëve nga depozitimi i kërkesës.
Përkushtimi më i madh është përpjekja për lidhjen profesionale të teorisë dhe praktikës, e cila është një karakteristikë e rëndësishme e Akademisë Nehemiah Gateway, pasi kjo reflektohet edhe në qasjen e studimit dual/ programit të dyfishtë të studimit. Integrimi i hulumtimit dhe mësimdhënies shihet si një çelës thelbësor. Përmes Agjendës Kërkimore të Akademisë Nehemiah Gateway, një theks i veçantë vihet në promovimin e ndërlidhjes midis dy fushave. Shumë nga lektorët ndërkombëtarë të ftuar janë të përfshirë në hulumtime dhe pasurojnë mësimin e tyre në Akademinë Nehemiah Gateway me shembuj konkretë dhe aplikime të koncepteve nga përvoja e tyre. Përveç mësimdhënies me informacione nga hulumtime, kurrikula parasheh që në sallën e mësimit të futen metoda të shumta dhe qasje shkencore, në mënyrë që studentët të kenë mundësinë për të ndërtuar dhe krijuar dije, si pasojë e metodologjisë së përdorur. Në kurse studentët njihen me studime të ndryshme shkencore dhe mësojnë të sintetizojnë gjetjet e hulumtimit dhe t'i lidhin ato me teoritë përkatëse.
Për më tepër, është një angazhim i rëndësishëm për Akademinë Nehemiah Gateway që të përmirësojë programet dhe format e mësimdhënies në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditësojë materiale të kurseve, në mënyrë që udhëzimet në auditor të pasqyrojnë gjendjen aktuale të hulumtimit.
Kurrikula ka një orientim të qartë drejt hulumtimit të zbatuar. Kurset e mëposhtme në programet B.A. dhe M.Sc. janë të hartuara në mënyrë eksplicite për të përvetësuar dhe përdorur metodologjinë e hulumtimit:
• Matematika dhe Statistika
• Marketing III
• Vlerësimi i Performancës Institucionale
• Metodat e hulumtimit
Përveç ndihmës për të formësuar të kuptuarit e tyre shkencor, përmes Agjendës Kërkimore, Akademia Nehemiah Gateway synon të stimulojë edhe të menduarit krijues e të orientojë studentët drejt kureshtjes. Një matës është që të inkurajojë studentët të ndjekin një qasje empirike në tezën e tyre përfundimtare dhe të ndërmarrin iniciativa vetjake hulumtuese.
Akademia Nehemiah Gateway njeh dhe vlerëson punën e shkëlqyer studimore të studentëve, duke organizuar një udhëtim studimor në Gjermani për studentët më të mirë në fund të programit të tyre të studimit. Nën udhëheqjen e Dekanit të Fakultetit dhe Drejtuesit të Departamentit, udhëtimet studimore u japin studentëve të nivelit B.A. mundësinë që të vizitojnë ndërmarrjet gjermane, si dhe institucionet publike e politike. Studentët e nivelit M.Sc. vizitojnë institucione të ndryshme në Shqipëri.
Me kampusin e vendosur në Buçimas dhe ndërtesa shumë-përdorimshe, AkademiaNehemiah Gateway ofron një infrastrukturë të pajisur mirë dhe të përshtatshme për institucionin në madhësinë e saj aktuale. Sallat janë të pajisura me mjete teknike, si: wireless dhe LAN, whiteboard, projektor dhe pajisje Smart Board, si dhe sistem transmetimi wireless-i. Për stafin me kohë të plotë, si dhe lektorët e ftuar, Akademia Nehemiah Gateway ofron hapësira dhe pajisje të mjaftueshme pune për të përmbushur detyrat e tyre dhe për të kryer aktivitete hulumtuese. Për më tepër, Akademia Nehemiah Gateway ka vendosur një laborator kompjuterik në dispozicionin e studentëve të Akademisë Nehemiah Gateway.
Me bibliotekën e saj, si një komponent vital në mbështetjen e aktiviteteve kërkimore të studentëve dhe kërkuesve shkencorë, Akademia Nehemiah Gateway ofron një sërë shërbimesh. Biblioteka është e mirëpajisur me koleksione librash të printuar, si edhe digjitalë; rreth 10,100 vëllime të shtypura janë në dispozicion të përdoruesve dhe përveç kësaj, Akademia Nehemiah Gateway abonohet me disa revista shkencore elektronike.